Largimi i Vjosës, profesori universitar flet për partinë e re të Osmanit dhe rënien e LDK-së pas daljes së saj

Me 20 qershor, anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, votuan pro shkarkimit të Vjosa Osmanit nga posti i nënkryetares së partisë dhe anëtares së Këshillit të Përgjithshëm.
E Osmani ka folur për herë të parë, duke konfirmuar largimin e saj, derisa ka thënë se aty ka përfunduar gjithçka.

“Natyrisht që po dhe përgjigja konkrete e kësaj është vendimi i tyre i 20 qershorit për të më përjashtuar. Aty ka përfunduar gjithçka”, u shpreh Vjosa Osmani para gazetarëve.

Ajo ka thënë se mund të bashkëpunojë me Albin Kurtin, por se kjo do të konkretizohet më vonë.

Lidhur me këtë, profesori universitar, Enver Bytyçi, ka thënë se kjo ishte e dhimbshme, pasi me daljen e saj nuk ka mbetur asgjë rugoviane në LDK.

“Vjosa Osmani më në fund e deklaroi divorcin e saj nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Për mua ishte dhimbje, sepse LDK identifikohet me emrin e të madhit Ibrahim Rugova. Edhe pse në Lidhjen Demokratike janë grumbulluar shumica e ish-kundërshtarëve të ish-presidentit historik, ikja prej kësaj organizate të klonuar nga grupi i Thaçit, Pronto, më ka krijuar një ndjesi të keqe. Jo për Vjosën, por për Lidhjen Demokratike. Me ikjen e zonjës Osmani, LDK-së nuk i mbetet asgjë rugoviane. Ata që janë rugovianë të vërtetë do t’i bashkohen asaj. Disa që ndjehen rugovianë, por kanë interesa në LDK do të shkëputen prej saj, kur kjo parti të dalë në opozitë”, është shprehur ai.

Sa i përket partisë së Vjosa Osmanit, profesori beson se do të jetë një parti që do t’u japë shpresë qytetarëve të Kosovës, pasi ajo është ndryshe nga politikanët e tjerë dhe nuk ka asgjë të përbashkët me thaçistët në partitë e ish-luftëtarëve të UÇK-së dhe as me thaçistët e Lidhjes Demokratike.

“Përfundimisht grupi i atyre që e duan Rugovën dhe rugovizmin pa kërkuar asgjë mbrapsht prej tij, do të dalë me vete. Çfarë do të jetë kjo organizatë jashtë Lidhjes Demokratike? Unë besoj se do të jetë një parti politike që duhet t’u japë shpresë qytetarëve të Kosovës. Një ditë do të ndodhte kjo që ndodhi, derisa LDK i shpalli luftë Vjosa Osmani. Më mirë që ndodhi tani. Vjosa Osmani është një politikane e kualifikuar dhe ndryshe nga të gjithë politikanët e Kosovës. Ajo nuk ka asgjë të përbashkët me thaçistët në partitë e ish-luftëtarëve të UÇK-së dhe as me thaçistët e Lidhjes Demokratike. Prandaj nuk mund të qëndronte më gjatë në atë stan politikanësh, të cilët janë përgjegjës për dështimet spektakolare të Kosovës në këto 12-13 vitet e fundit pasvdekjes së presidenti të ndjerë historik, Dr. Ibrahim Rugovës dhe puçit që iu bë ish-presidentit të Kosovës, Profesor Fatmir Sejdiut”, ka vlerësuar Bytyçi.

Më tej, ai shton se Osmani u kishte bërë thirrje qytetarëve që ta votojnë LDK-në pasi do të ishte ndryshe me të, por atë e mundi kasta e vjetër pro-serbe e pro-Thaçi.

“Vjosa Osmani i pati bërë qytetarët e Kosovës të besojnë se Lidhja Demokratike do të jetë ndryshe me atë si kandidate për kryeministre. Ndaj dhe e votoi LDK-në e vetë Vjosën. Por kasta e vjetër pro-serbe e pro-Thaçi e mundi atë në betejën e parë me puç institucional, duke shpërfillur mendimin e vullnetin e lirë të LDK-së”, ka shtuar Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Ai thotë se Vjosa nuk u largua por largimin e saj e shpalli kohë më parë Agim Veliu e më pas dhe Isa Mustafa, derisa ata i thoshin ik dhe bëhu me VV-në, ata që e kishin sjellë dhe mbajtur në pushtet Hashim Thaçin.

“Vjosa nuk u largua. Në të vërtetë largimin e saj e ka shpallur me kohë Agim Veliu në emër të LDK-së. E ka artikuluar edhe vetë Isa Mustafa. Përfundimisht Vjosa ka vendosur ta ridimensionojë rolin e saj në politikën shqiptare. Kjo do të thotë se ajo do të krijojë një subjekt të vetin politik. Në LDK i kanë thënë “Ik bashkohu me Albin Kurtin”! “Bëhu me Vetëvendosjen”! Dhe e gjitha kjo për t’u thënë zgjedhësve se “Vjosa bën lojën politike të kreut të Vetëvendosjes”! Dhe kush ia thoshte këto? Ata që kanë sjellë dhe mbajtur Hashim Thaçin në pushtet, ata që kanë duartrokit zgjedhjen e tij president, ata që kanë mbështetur projektet serbe të presidentit të Kosovës. E dija se kjo nuk do të ndodhte. Vjosa nuk i ngjan as Albin Kurtit, edhe pse e ka shpallur hapur aleancën me atë. Po me kë të bënte aleancë? Me Hashim Thaçin? Me Isa Mustafën dhe Agim Veliun, dy bashkëpunëtorëve të pa alternativë të Hashim Thaçit? Më Lutën, që ende flet për shkëmbim territoresh? Apo me Kadri Veselin, Fatmir Limajn e Behgjet Pacollin? Është absurde të kërkosh bashkëpunim me këto figura që janë dëshmuar se punojnë kundër interesave të Kosovës dhe të thuash se “nuk bashkëpunoj me Albin Kurtin””, ka deklaruar profesori.

Sipas tij, Osmani duhet të krijojë një alternativë përballë së majtës të përfaqësuar nga Albin Kurti dhe në të ardhmen të jenë ata në pushtet.

“Por zonja Osmani konkurrencën elektorale në të ardhmen duhet ta ketë me Vetëvendosjen. Nuk ka e nuk mund të ketë konkurrencë me fosilet e politikës së Kosovës. Besoj se ajo do të krijojë një alternativë përballë së majtës të përfaqësuar nga Albin Kurti dhe kësisoj skena politike në Kosovë pas zgjedhjeve të ardhshme, edhe nëse në fillim mund të sjellë në pushtet Vjosën dhe Albinin, do të duhej në të ardhmen afatmesme të ndërtohej si alternativë midis këtyre të dyve. Kjo presupozon se qytetarët e Kosovës do t’i nxjerrin jashtë parlamentit partitë që janë përgjegjëse për gjendjen e mjerueshme që e kanë sjellë vendin”, ka theksuar Bytyçi.

Ai thotë se shpresë për vendin do të jetë Vjosa dhe Albini, LDK do të bie në zgjedhjet e ardhshme, pasi Isa Mustafa është e shkuara dhe Kosova nuk i beson më.

“Të gjitha fosilet politike gradualisht do të shuhen e do të dalin jashtë parlamentit të Kosovës. Shpresë për vendin do të jetë Vjosa dhe deri në farë mase Albini. Them deri në një farë mase, sepse filozofia e Vetëvendosjes nuk premton për një të ardhme aq të sigurt, sa do të dëshmojë siguri për prosperitet grupimi politik që mund të krijojë Vjosa Osmani. Kjo do të thotë se Lidhja Demokratike do të zbresë që në zgjedhjet e para të ardhshme nën 20 për qind. Nuk ka asnjë shans që Kosova t’i besojë të shkuarës. Isa Mustafa është e shkuara. Ai dhe pjesa e mbetur në LDK nuk rinovohen më. Ai më pak ka shanse që të fitojnë besim partitë e manipuluara nga Hashim Thaçi”, ka përfunduar Enver Bytyçi për “Bota sot”.

This website uses cookies. We may use them to evaluate site usage in order to display usage-based editorial content and advertising. For more information about cookies and, in particular, how you can opt-out of their use, please see our privacy policy. Privacy Policy

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close