Partia e re e Vjosa Osmanit, do ta eliminojë gardën e vjetër të LDK-së?

Qëndrimet e kohëve të fundit të Vjosa Osmanit të mbajtura kundër partisë dhe kundërshtimi i koalicionit të ri qeveritar, ka bërë që Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së të shkarkojë nga posti i nënkryetares së kësaj partie.

Shkarkimi i Vjosa Osmanit u propozua nga kryetari i LDK, Isa Mustafa dhe në vend të saj u zgjodh Avdullah Hoti. Votimi u bë me anë të postës elektronike.

E gjendur përballë kësaj situate merret vesh nga burimet e “Bota sot” se Osmani është në proces të hapjes së partisë së saj, e cila do të quhet Lidhja e Re Demokratike.

Gjithashtu Osmani në faqen e saj në Facebook ditë më parë ka publikuar një video me aktivitetet e saja në Kuvendin e Kosovës mirëpo ajo se çfarë ra në sy në këtë video ishte mbishkrimi i videos, “Shihemi në shtator!”.

Zyrtarizmin e partisë, Osmani do ta bëjë pak para zgjedhjeve, kurdo që mbahen ato, kanë thënë tutje burimet e gazetës “Bota sot”.

Kelmendi: Osmani të ofroj kuadrot e duhura në partinë e saj që të korrë suksese

Image

Në lidhje me këtë temë, njohësi i çështjeve politike, profesor Muhamet Kelmendi, në një prononcim për “Bota sot” u shpreh që është e pritshme një parti e re nga znj. Osmani, mirëpo shpreson që të mos e ketë fatin e subjekteve që krijuan pas ndarjeve nga partitë e tyre.

“Znj. Osmani duhet të ketë kujdes në ketë përfundim. Sa do të korrë sukses varet nga kuadrot që i ofron dhe nga hapja si subjekt, thotë me tej Kelmendi. Në skenën politike të Kosovës është zakon që pas çdo humbjeje në parti nga vjen personi nga ai të krijohet një parti e re. Nuk dua të besoj se znj.Osmani do të ketë fatin e subjektëve të shumta që u krijuan pas ndarjeve dhe të cilat përfunduan me likuidim. Këtë përfundim nuk ia dëshiroj znj.Osmani. Megjithatë, znj. Osmani duhet të ketë kujdese në ketë përfundim. Sa do të korrë sukses varet nga kuadrot që i ofron dhe nga hapja si subjekt. Nëse do të kemi parti të ngurtë është e domosdoshme që të përfundoi shumë rëndë”, thotë Kelmendi.

Më tej, Kelmendi shprehet skeptik në lidhje se sa do të ketë sukses pasiqë kemi shembuj të Dacit e Limaj e shumë të tjerë që nuk u panë të suksesshëm pas largimit nga partitë e tyre.

“Por, me hapjen e saj dhe që normat demokratike të jenë bazë e ndërtimit të partisë mundet të jetoj. Sa do të rritet! Jam shumë skeptik se do të ketë suksese në rritje. Këtë e kemi parë te Nexhat Daci, te Fatmir Limaj, te Mimoza Kusari-Lika dhe te shumë politikanë të tjerë. Kudo kemi likuidime. Pra, nuk është treguar e suksesshme ndarja dhe subjekti i ri. Por, të shpresojmë se z.Osmani do të ketë suksesë”, përfundoi Kelmendi për “Bota sot”.

Duhanaj: Partia e Osmanit të mos ketë asgjë të përbashkët me LDK-në

Image

Njohësi i çështjeve politike Leon Duhanaj, në një prononcim për “Bota sot” u shpreh që Osmani ka pasur të drejtë që ka ngritur zërin brenda partisë së saj dhe se ajo është dashtë, ose t’i respektoj ato, ose të largohet nga partia.

“Nëse flasim për të drejtat dhe detyrimet e një anëtari të një partie demokratike në përgjithësi, duhet të themi se, një anëtar partie ka të drejtën e fjalës së lirë, të drejtën për të zgjedhur dhe për të qenë i/ e zgjedhur. Por, nëse në kuadër të forumeve të partisë, merren vendime dhe qëndrime të shumicës, je i/ e detyruar t’i respektosh ato në publik. Natyrisht ke të drejt të shprehjes se mendimit kritik, por jo edhe të veprosh në kundërshtim me qëndrimet e partisë. Nëse vlerëson vendimet e partisë, nuk janë në përputhje me bindjet personale, atëherë nuk ka kuptim me qenë anëtarë i sajë. Znj. Osmani, për mendimin tim, ka patur të drejt ta ngrisë zërin brenda organeve partiake dhe të loboi për mendimin e saj, por në momentin që në forumet e partisë janë marrë vendime tjera, është dashtë, ose t’i respektoj ato, ose të largohet nga partia”, u shpreh Duhanaj.

Tutje, Duhanaj thotë që Osmani duhet të sjellë një parti krejt tjetër nga LDK ose të mos e mundoj qytetarin fare. Duke vazhduar tutje, analisti shprehet që Osmani duhet të themelojë një parti të re me program të ri, e asesi të rikthehet në rob të së kaluarës.

“Tani, nëse znj. Osmani, ka filluar me idenë e krijimit të një subjekti të ri, për mendimin tim, ose do të duhej një subjekt krejtësisht i ri, i bazuar në ide bashkëkohore, ose mos ta mundojë qytetarin fare me një subjekt sezonal. Pse e them ketë? Sepse vetë emërtimi, tregon qartë se znj. Osmani, synon një parti të re, por brenda tij, do t’i integrojë idetë, njerëzit madje edhe problemet e vjetra. Kjo nuk le shumë shpresë për të besuar në ndryshime. Madje nëse thirret në vlerat të cilat i përfaqëson LDK, atëherë do ta ketë jetën politike shumë të limituar, sepse elektorati do ta kuptoj si tentativë për ta dëmtuar LDK-në e assesi për një mision të ri. Nuk ka kopje të mirë dhe as kjo nuk do të jetë e tillë. Nëse do ta këshilloja znj. Osmani, atëherë do t’i sugjeroja që, nëse bën parti, ta bëj atë por mos të ketë asgjë të përbashkët me LDK-në. As mos të ketë pjesë të diskursit politik, as me pak as me shumë se sa partitë tjera. Të themeloi parti të re, me program të ri, e bashkëkohorë me synime për të ardhmen, e assesi mos të rikthehet në rob të së kaluarës, pasi që nëse e bën ketë, rezultati i sigurt do të jetë fundi politik i sajë”, thekosi Duhanaj.

Mehazi: Lidhja e Re Demokratike e Vjosa Osmanit do ua hajë kokat kuçedrave politike të LDK-së

Image

Profesori Sulejman Mehazi, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që partia e re e Osmanit do të eliminojë gradën e vjetër të LDK-së dhe e cila do i jep energji të re LDK-së së Rugovës në Kosovë.

“Pasi të LDK-së e distancuan e shkarkuan nga të gjitha pozitat partiake për shkak qëndrimeve politike, normale se Vjosa Osmanit si ka mbetur gjë tjetër përveç që të formonte parti të re, qëllimi i partisë së re së Vjosa Osmanit është e qëllimshme për të eliminuar gardën e vjetër të LDK-së në krye me Mustafën e Veliun nga skena politike. Vet emri i partisë së Vjosa Osmanit, Lidhja e Re Demokratike, simbolizon luftën politike që do ta bëjë ajo brenda LDK-së, kundër mentalitetit të vjetëruar politik e për t’i dhënë frymë e energji të re LDK-së së Rugovës në Kosovë”, thotë Mehazi.

Më tej, profesori shprehet që partia e re e Osmanit do të sjellë një freskim politik, e që së bashku me VV-në do të jenë bartës së proceseve politike në Kosovë.

“Partia e re e Vjosës do përçajë rëndë LDK-në e Isa Mustafës deri në shkëputjen e disa deputetëve të rinj që nuk pajtohen me rrugëtimet e vjetëruara politike të Isa Mustafës e LDK-së. Partia e re e Vjosa Osmanit jo që nuk do jetë e suksesshme, po në një te ardhme të afërt bashkë me LVV-në do jenë bartës së proceseve politike në Kosovë. Lidhja e Re Demokratike e Vjosa Osmanit do ua hajë kokat kuçedrave politike të LDK-së, Isa Mustafës, Lutfi Hazirit, Agim Veliut e të tjerëve brenda kësaj partie. Partia e re e Vjosa Osmanit do jetë freskim politik mbushur me energji rinore, do jetë avangardë politike për qytetarët e R. së Kosovës”, shprehët Mehazi.