“Ekzistojnë vetëm dy mundësi, amerikanët shtrojnë të gjitha opsionet në tavolinë”, zbardhet skenari i takimit në Shtëpinë e Bardhë

Ish-këshilltari për Siguri Kombëtare i Presidentit amerikan Donald Trump, John Bolton ishte njëri nga ata që e përkrahu më së shumti idenë e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij serb, Aleksandër Vuçiq për shkëmbimin e territoreve.

E kur kanë mbetur edhe pak ditë deri te takimi i 2 shatorit mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, Bolton është rikthyer të flas përsëri për një marrëveshje të mundshme mes Kosovës dhe Serbisë.

“Mendoj se kjo do të ishte një fushatë e mrekullueshme për presidentin Trump. Shpresoj që kjo të ndihmojë në negociatat mes Kosovës dhe Serbisë dhe të arrihet një marrëveshje paqeje”, shprehet Bolton.

“Disa vjet më parë, ishte një kohë kur mendoj se njerëzit ishin optimistë se liderët e Kosovës dhe Serbisë kanë zgjidhur diçka, të paktën në terma të përgjithshëm. Mendoj se ky optimizëm është zvogëluar paksa, por a është në interesin e Shteteve të Bashkuara, qoftë publikisht apo në prapaskenë, që të punojë për të parë nëse mundemi t’i bëjmë këto dy shtete të arrijnë marrëveshje, unë mendoj se është shumë (në interesin e ShBA-së) dhe nëse kjo është ajo çfarë po bën administrata (amerikane), atëherë unë e duartrokas”, ka thënë Bolton derisa ka folur për idenë e shkëmbimit të territoreve.

Por çfarë realisht mund të ndodhë më 2 shator në Shtëpinë e Bardhë mes Kosovës dhe Serbisë? A mund të ketë një marrëveshje ashtu siç po paralajmëron Bolton?

Lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur profesori i njohur, doktor Enver Bytyçi.

“Është tashmë e ditur se një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë do të ishte në interes të fushatës elektorale të presidentit Trump, sepse kjo marrëveshje do shitej si sukses i administratës së tij në politikën e jashtme. Ndërkaq dihet se në këtë çështje, pra në ushtrimin e politikave të jashtme amerikane, ka një përvojë të vyer rivali i tij Jo Biden. Për pasojë Trump-it i duhet të dëshmojë se edhe ai në këtë fushë mund të arrijë rezultate domethënëse. Për ketë arsye unë e besoj John Bolton kur ai thotë se zgjidhja e konfliktit Kosovë-Serbi nga ana e presidentit Trump do të ishte një fushatë e mrekullueshme e tij. Jo se Kosova është aq shumë në fokus të opinionit amerikan. Por kjo do të shitej si fitore e sfidës edhe me Bashkimin Europian. Nëse arrihet një marrëveshje e tillë, atëherë Trump do të thoshte se “Atë që nuk mund ta bëjë Europa në kontinentin e vet, e arrijmë ne amerikanët”! Dhe kjo do të merrte kuptim, nëse kemi parasysh se Bashkimi Europian dështoi në mandatin e Junker dhe Mogherinit për të realizuar një marrëveshje paqeje midis Kosovës dhe Serbisë”, thotë profesor Bytyçi për “Bota sot”.

Po cila mund të jetë zgjidhja që synohet më 2 shtator në takimin e thirrur në Shtëpinë e Bardhë midis kryeministrit të Kosovës, Abdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç?

Profesor Bytyçi tregon skenarët se si mund të rrjedh takimi.

“Bolton le të hapur edhe mundësinë e ndryshimit të kufijve, por nuk e përcakton si të domosdoshme. Unë besoj se amerikanët do të shtrojnë në tavolinë të gjitha opsionet. Mundet të kenë përgatitur tashmë një lloj projekti, i cili do të duhej të diskutohej e negociohej në këtë rast. Në këtë rast parashikoj që midis palëve në konflikt e njëkohësisht në bisedime do të ketë përplasje mendimesh dhe qëndrimesh. Secila palë do të përpiqet të përfitojë më shumë. Në këtë rast ka dy mundësi, ose do të ngujohen palët brenda Shtëpisë së Bardhë me metodën e “pengut diplomatik”, derisa të binden e të arrijnë një ujdi. Ose do të caktohet një datë e re për ta përmbyll një marrëveshje përfundimtare, e cila do të diskutohej me aktorët dhe faktorët e tjerë vendimmarrës në Kosovë dhe në Serbi. Por nëse nuk do të ketë transparencë jo vetëm me faktorin politik dhe institucional, por edhe me publikun, atëherë çdo marrëveshje do të keqkuptohet, do të kundërshtohet dhe nuk do të sjellë stabilitet. Efekti i saj do të jetë destabiliteti, pasiguria dhe thellimi e vazhdimi i konfliktit. Transparenca është e domosdoshme me qëllim që të arrihet maksimumi i konsensusit. Jo transparenca thellon përçarjen dhe për pasojë edhe konfliktin e brendshëm si dhe midis të dy vendeve në dialog, Kosovës dhe Serbisë”, shprehet Bytyçi.

Më tej, profesor Bytyçi deklaron se mundet të ketë një gjysmë transparencë, pra disa pjesë të takimit të bëhen të njohura dhe disa pjesë tjera që mund të marrin emrin “ankese” të mbahen sekret.

“Sekretet zakonisht janë punë e djallit. Nuk besoj se do të luajë djalli në këtë dialog me Trump, tashmë pa Bolton. Shoh gjithashtu që më shumë rol do të luajë këshilltari i Sigurisë Kombëtare se ambasadori Grenell. Duhet të shpresojmë se dialogu do të zhvillohet mbi bazën e parimeve të drejtësisë. Nuk është tashmë ajo pasiguri që kishim me Thaçin në bisedime, i cili kishte një ujdi të pakontestueshme prej tij me presidentin e Serbisë. Por zoti Hoti duhet t’i shfrytëzojë këto dy javë që të përgatitet për çdo të papritur. Përveçse ai duhet ta dijë agjendën e bisedimeve dhe të ketë një vizion për fundin e takimit, pra se çfarë do t’i vihet përpara për firmë. Nuk besoj se kryeministri i Kosovës është i kapur ose ka një marrëveshje të heshtur për të firmosur atë çfarë kërkon dhe dëshiron pala serbe, siç ndodhte me paraardhësin e tij. Ndërkaq zoti Hoti ka një epërsi mbi Thaçin dhe politikanët e tjerë, të cilën duhet ta dijë ta përdorë në favor të suksesit në dialog dhe në një marrëveshje të mundshme. Kjo epërsi lidhet me maturinë dhe qetësinë e tij. Nëse kësaj qetësie e maturie i shton argumentet të cilat flasin të gjitha në favor të Kosovës, ai do të arrijë sukses të padiskutueshëm. Dhe nëse e arrin këtë sukses, ai do të jetë i nderuar dhe respektuar gjithë jetën te populli i vet”, shpjegon më tej profesori i njohur, Enver Bytyçi.

Për fund, ai thotë se marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, vështirë se realizohet pa bashkëpunimin me Bashkimin Europian.

“Unë vazhdoj të besoj se marrëveshja do të jetë normalizimi i marrëdhënieve ekonomike midis të dy vendeve, sepse një marrëveshje përfundimtare vështirë se realizohet pa bashkëpunimin me Bashkimin Europian, përkatësisht me Berlinin dhe Parisin, por duhet llogaritur këtu edhe bashkëpunimi me Londrën, kryeqytete këto, të cilat kanë aksione jo të pakta në investimet në Kosovë”, përfundon për gazetën “Bota sot” profesor, doktor Enver Bytyçi.

 

This website uses cookies. We may use them to evaluate site usage in order to display usage-based editorial content and advertising. For more information about cookies and, in particular, how you can opt-out of their use, please see our privacy policy. Privacy Policy

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close