LVV reagon ndaj pezullimit të punëve në rrugën Deçan-Plavë : Vuçiq kërkon, Hoti zbaton

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj kërkesës së kryeministrit Avdullah Hoti për ndërprerjen e punimeve në ndërtimin e rrugës Deçan-Plavë.

Sipas LVV-së, presidenti serb Aleksandar Vuçiq bën kërkesa e kryeministri i Kosovës me partnerët e tij i zbaton.

Ditë më parë, kryeministri Hoti dhe partnerët e koalicionit ia kanë prerë shiritin punimeve në rrugën Deçan-Plavë.

Ky është reagimi i plotë i Lëvizjes Vetëvendosje:

“Vuçiq bën kërkesa, Hoti me partnerët, i zbatojnë. Kështu ndodhi edhe me rastin e ndërprerjes së punimeve në aksin rrugor Deçan-Plavë.

Tashmë është bërë e zakonshme për këtë qeveri të zbatojë kërkesat e Serbisë, gjë që në kontrast të plotë me indiferencën e saj ndaj kërkesave të popullit të Kosovës. Më parë u hoq reciprociteti, pastaj u ndal fushata diplomatike për njohjen ndërkombëtare të Kosovës, e tani po ndalen edhe projektet rrugore. A është kjo qeveri vartëse e Vuçiqit apo çfarë? Cili është qëndrimi i atyre që mburren për patriotizëm brenda në qeveri, kur as premtimin e tyre elektoral, rrugën Deçan-Plavë nuk e ndërtojnë dot pa lejen e Serbisë? Sigurisht që s’kanë qëndrim, sepse dëshira për pushtet dhe frika nga zgjedhjet ua ka mbyllur gojën.
Banorët e Deçanit kanë nevojë për investime dhe infrastrukturë, e lidhja e Plavës me Kosovën është projekt me rëndësi kombëtare. Ndërsa Manastiri i Deçanit është po ashtu një institucion i rëndësishëm fetar, që mbrohet nga ligji e shteti i Kosovës. Konfliktet e tilla nuk ka arsye fare pse të bëhen çështje ndërshtetërore, institucionet e Kosovës duhet të gjejnë kompromisin e pranueshëm për palët, dhe të vazhdojnë punimet. Por një qeveri e varur nga Lista Serbe dhe nga Beogradi, e cila shquhet për paaftësinë e saj, në çdo rast po krijon mundësinë që Serbia të ndërhyjë në Kosovë. Kjo qeveri duhet të lëshojë udhë, edhe për të mirën e banorëve të Deçanit e Plavës, edhe për të mirën e Kosovës. Çdo ditë që kalon, bëhet shumë vonë.
Nuk kemi kohë për të humbur me politikanët dhe politikat e 20 viteve të fundit. Duhet të rikthehemi te qeverisja e mirë dhe përfaqësimi dinjitoz”.

This website uses cookies. We may use them to evaluate site usage in order to display usage-based editorial content and advertising. For more information about cookies and, in particular, how you can opt-out of their use, please see our privacy policy. Privacy Policy

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close